Kasata Forum
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.



 
ForumPortaliGalleryLatest imagesKërkoRegjistrohuidentifikimi

 

 Arta Dobroshi, perla shqiptare e vëllezërve francezë

Shko poshtë 
2 posters
AutoriMesazh
UNKNOWN
H2O
H2O
UNKNOWN


Male Numri i postimeve : 750
Location : Tokesor
Registration date : 30/09/2008

Arta Dobroshi, perla shqiptare e vëllezërve francezë Empty
MesazhTitulli: Arta Dobroshi, perla shqiptare e vëllezërve francezë   Arta Dobroshi, perla shqiptare e vëllezërve francezë Icon_minitime6th November 2008, 7:26 am

Mediat franceze e kanë cilësuar si “fytyrën e re të vëllezërve Dardenë”, ndërsa shqiptarët ndihen krenarë për nacionalitetin e saj. Është e re, vetëm 28 vjeç dhe shënon rastin e parë kur një aktore shqiptare shkel në tapetin e kuq të Kanës, dinjitoze mes konkurrentëve të tjerë. Filmi “Historia e Lornës” firmosur nga dy regjisorë francezë, përzgjedhja e shqiptares në rolin e protagonistes, eksperiencat dhe jeta artistike, përmes rrëfimit të vetë aktores.

“Arta Dobroshi, perla e re e vëllezërve Dardenë”, ky është titulli që mban artikulli dedikuar aktores shqiptare në gazetën prestigjioze “Le monde”, gazeta më e shitur dhe më e rëndësishme në hapësirën frankofone. Erdhi ky artikull pas prezantimit dinjitoz të aktores në Festivalin e Kanës, ku 28 vjeçarja Dobroshi, pati fatin të shkelë mes yjeve të kinemasë dhe të nominohej si “Aktorja më e mirë protagoniste” përkrah Anzhelina Zholisë. Një çmim që Arta nuk mundi të fitonte përpara Anzhelina Zholisë, pavarësisht se filmi fitoi çmimin për “Skenarin më të mirë”.
Një film ku Arta luan rolin e një emigranteje shqiptare në Belgjikë dhe luftën e saj për mbijetesë.
Jeni e para shqiptare që interpretoni në një film të këtyre përmasave dhe shkoni në Kanë, megjithatë dukeni me këmbë në tokë.

Po dhe a e dini pse? Sepse mua e gjithë kjo s`më duket e jashtëzakonshme; e ndiej veten qytetare të botës dhe si e tillë, i kam shanset të barabarta me çdo artist, pavarësisht origjinës. Kur nisa aktrimin nuk i vura si qëllim vetes që të shkoja në Kanë, por që të punoja gjithmonë e më shumë, kjo ka rëndësi për mua. Kur punon, mund të arrish gjithçka. Si fillim, për mua ka qenë kënaqësi të interpretoja në një film të vëllezërve Darden. Sa për Kanën, ajo ka ardhur më pas dhe s`është gjëja më e rëndësishme. Ky aktivitet ndiqet nga e gjithë bota dhe ka një vlerë të jashtëzakonshme në rrethet artistike, sepse me sa di, pas Lojërave Olimpike është evenimenti më i ndjekur në botë.

Subjekti i filmit ka në qendër jetën e trazuar të një emigranteje shqiptare, ndërkohë që të qenit shqiptare nuk ka qenë një kusht i domosdoshëm për skenarin. Ishte fati yt!

Kjo është e vërtetë, filmi s`ka lidhje direkte me shqiptaret. Mund të trajtohej edhe jeta e një belgeje në Amerikë, turkeje apo kroateje emigrante në Belgjikë. Vëllezërit Dardenë kishin njohur personalisht një vajzë shqiptare, jeta e së cilës s`kishte rrjedhur krejtësisht siç ndodh në film, por pak a shumë ashtu. Ata ishin frymëzuar prej saj dhe e kishin për zemër që personazhi të ishte shqiptare, ndonëse ky s`ishte kushti kryesor. Zhanpieri dhe Luka, nëse deri në fund të kërkimit të tyre s`do të kishin gjetur njeriun e përshtatshëm ndër pretendentet shqiptare për rolin, do të kishin ndryshuar skenarin, ishte shumë e thjeshtë. Rëndësi kishte që aktorja kryesore të ishte e huaj, jo belge por jo domosdoshmërisht shqiptare. Vëllezërit Dardenë ishin në kërkim të një aktoreje që të ndihej shumë brenda karakterit, ja pse duhet të ishte emigrante.

Në disa role është më mirë të jesh vetvetja se sa të aktrosh….


Kjo vlen gjithmonë, për të gjitha rolet. Pastaj varet edhe nga aktori... Ka që ngjiten në skenë dhe sillen krejtësisht si personazhi por sapo dalin nga skena, s`e kanë të vështirë t`i kthehen jetës së tyre. Unë personalisht kam qëndruar një kohë të gjatë vetëm, pikërisht sepse Lorna ishte tip i vetmuar, ndaj doja të isha sa më afër natyrës së saj.

Çfarë të ka bërë më shumë përshtypje gjatë xhirimeve?

Kanë qenë momente shumë të këndshme, ia kam kaluar bukur sepse përpara se të dilnim në sheshxhirim kemi bërë prova për një kohë të gjatë. Kjo mënyrë të punuari është shumë e favorshme për aktoren, pasi ajo mund të hyjë më e sigurt dhe e përgatitur në xhirime. Dhe ne i kemi kaluar në prova të gjitha skenat e filmit.

Cila është e veçanta e rolit tënd?

Në ndryshim nga çdo film tjetër ku kam luajtur më parë, si rrallëherë, personazhi kryesor Lorna, është e pranishme në çdo plan. Është rast i rrallë që një personazh të jetë në çdo kuadër, pavarësisht nëse është protagoniste. Kjo s`ka ndodhur më parë në një film, përpara “Heshtjes së Lornës” dhe kjo për mua do të thotë një punë shumë e lodhshme; kam pasur një bashkëpunim intensiv me aktorët e tjerë e regjisorët, pikërisht sepse duhet të isha në çdo skenë.

Çfarë ke kuptuar nga skenari?

Kam mësuar shumë rreth luftës për mbijetesë. Lorna është një femër që me forcat e saj përpiqet për një jetë më të mirë dhe për ta arritur këtë, më shumë se gjithçka tjetër e ndihmon shpresa. Nëse ke shpresë se gjërat do të bëhen më mirë, atëherë ke për të mbijetuar. Ky është mesazhi kryesor i filmit. Lorna është një qytetare e botës, që mund të ndërtojë një jetë të lumtur edhe në Belgjikë.

Nëse ne të tjerëve këtë mësim na e kanë dhënë librat apo filmat si “Heshtja e Lornës”, juve personalisht jua ka dhënë vetë jeta?

Është e vërtetë, ju po i referoheni luftës në Kosovë dhe keni të drejtë. Unë dhe Lorna ngjajmë në këtë pikë, sepse të dyja kemi jetuar kohë të këqija. Por kemi besuar dhe shpresuar se gjërat do të bëhen më mirë, ndaj dhe unë jam këtu sot.

Sa ka ndikuar te ju si aktore lufta e Kosovës?

S`jam e vetëdijshme për këtë, megjithatë jam shumë e lumtur që jemi të lirë... Mund të dalim lirshëm në rrugë, pa pasur frikë se do na fusin në burg, do na ngrenë ndonjë kurth, do na lënë pa bukë e pa dije. Tani bëjmë një jetë normale dhe ndihemi të qetë shpirtërisht. Kudo në rrugë mbizotëron një paqe që me forcë e kërkuam, megjithatë duhet ta pranojmë se “lufta” nuk ka mbaruar me të vërtetë...

Në ç’kuptim?

Ballkani është i vogël dhe është mirë që të gjitha kombësitë të merren vesh me njëra-tjetrën. Koha shëron çdo plagë dhe jam e bindur se në një të ardhme, urrejtja mes serbëve dhe kosovarëve do të shuhet përfundimisht, se s`ka arsye të ndodhë ndryshe. Kjo që po ndodh tani, është mëse normale... Pavarësia e Kosovës është diçka e re, diçka për të cilën serbët s`ishin përgatitur por shpresoj që shumë shpejt ata të bëjnë paqe me veten dhe me ne. Duhet të mendojmë për bashkëpunimin, jo për izolimin. Kosova tani është një shtet dhe kushdo mund të ndërtojë jetën e tij aty. Vijnë dhe të huaj nga jashtë vendit për të jetuar në Prishtinë e janë të mirëpritur, pasi Kosova është një vend i sigurtë për këdo.

Keni miq serb?

Kam një shoqe shumë të afërt, e cila quhet Miriana Karanoviç dhe sinqerisht, duke u nisur nga marrëdhënia që kemi me njëra-tjetrën, s`mund ta kuptojmë kurrsesi këtë urrejtje mes dy popujve. Kam plot shoqe të tjera në Beograd, gjithashtu një tjetër mikeshë serbe e cila jeton në Slloveni, edhe ajo është aktore. Kur vjen puna te miqtë, mua s`më intereson aspak se nga vijnë ata, çfarë kombësie kanë.

Sikurse te “Heshtja e Lornës” edhe në filmin “Trishtimi i zonjës Shnajder” ju kanë caktuar rolin e një vajze me probleme... Pse të propozojnë role të tilla?

S`e kam fare problem. Një aktor mjafton të interpretojë dhe të ndihet mirë me pjesën, s`ka rëndësi nëse personazhi është i lumtur apo i trishtuar. Madje ndonjëherë ndodh e kundërta, argëtohesh më tepër kur interpreton personazhe problematikë, sepse merresh duke zgjidhur problemet e tyre. (Qesh)

Është e vështirë t`u japësh formë karaktereve që të besohen?

Diçka e tillë kërkon punë, por s`është e pamundur. Brenda nesh gjenden të gjitha llojet e instinkteve, mjafton vetëm që të punojmë për t`i nxjerrë në sipërfaqe... Për çdo karakter, aktori mjafton të kërkojë brenda vetes ato tipare që janë dalluese për rolin dhe të jeni të sigurt se ka për t`i gjetur. Ne kemi brenda vetes çdo instinkt, edhe atë të vrasjes... Vetëm se disa prej nesh i vënë në gjumë instinkte të caktuara, kurse të tjera i kanë më të dukshme.

Kërkimi brenda vetes, është ndopak i lodhshëm për një aktor?

Asgjë s`është e lodhshme apo e mërzitshme, nëse e bën me pasion.

Keni mbetur e kënaqur nga vetja pas interpretimit te “Trishtimi i zonjës Shnajder”?

E kam parë filmin gati një vit më përpara e të them të drejtën, më ka pëlqyer në total. E para fjalë që më doli kur mbaroi, ishte “I këndshëm”. Është një film i lehtë, çlodhës dhe argëtues. Një histori e veçantë dashurie, e sjellë në mënyrë mjeshtërore nga regjisori Pirro Milkani. Rrallë gjen në kinematografinë shqiptare filma kaq të rrjedhshëm e të pastër, të pangarkuar me nota dhune apo politike. Kjo është një ngjarje dashurie pikante, aspak e zakonshme kështu që filmi ka një fabul tërheqëse.

Po pjesa juaj në film, si ju duk?

S`mund të pyesësh aktorin për veten e tij, s`mund të jetë kurrsesi objektiv.

Si keni filluar të merreni me aktrimin?

Kam qenë me studime në Amerikë. Është një mundësi që të bësh një vit të shkollës së mesme, në një shkollë jashtë shtetit dhe unë zgjodha që (me shpenzimet e mia), të studioja në Amerikë. Atje provova për herë të parë të ngjitem në një skenë, por pasioni për aktrimin s`ka lindur aty... Kontakti i parë me aktrimin ka qenë në moshën 17 vjeçare, kur punoja në një organizatë ndërkombëtare e cila quhej IMC (International Medicine Center). Në ato momente të vështira për Kosovën, kjo organizatë ndihmonte me ilaçe. Bëmë një grup me të rinjtë e tjerë por më tepër se sa shfaqje, po përgatiteshim për një performancë, ku kishte më së shumti balet e këndim. Për një periudhë të gjatë kemi bërë prova, madje me orë të tëra dhe në një moment, thamë: “U kry kjo punë!”; por një ditë na u desh të hiqnim dorë nga shfaqjet, sepse situata në Kosovë ishte rënduar shumë dhe lufta e vërtetë ishte afër.

Keni pasur mbështetje për të ecur në këtë rrugë që ke nisur?

Nxitja më e madhe ka qenë im vëlla Genci, i cili kishte studiuar për regji. Unë u hidhja gjithmonë një sy librave të tij, isha kureshtare gjithmonë për profesionin e aktorit dhe e pyesja Gencin: “Ç`pjesë po përgatit? Me se po merresh” dhe punonim bashkë. Im vëlla më ndihmoi që të hyja në shkollën e aktrimit në Prishtinë, duke punuar me mua gjatë përgatitjes së monologut me të cilin konkurrova për të hyrë në Akademi. Kam përfunduar studimet për dramë në Prishtinë dhe ja... u bëra aktore. (Qesh)

Sa ka ndikuar suksesi me rolin e Lornës që të marrësh të tjera propozime nga regjisorë të huaj?

Çdo interpretim të hap një shteg për më tutje, por ky ishte një rol i veçantë dhe si i tillë, është një nxitje e madhe për të ardhmen në karrierën time. Në Belgjikë apo Francë kam dhënë disa intervista, në gazetat më në zë si për shembull, “Le monde” po gjithashtu në televizion. Ky është një promovim që shpresoj të më afrojë me regjisorë të tjerë të njohur ndërkombëtarisht.

Arta Dobroshi, 28 vjeç, lindur në Prishtinë dhe banuese në Belgjikë, pas pjesëmarrjes si konkurrente në Festivalin e Kanës, është aktorja shqiptare më e njohur dhe e komentuar e momentit

Aktualisht, Dobroshi është e dyzuar mes Prishtinës dhe Belgjikës, ku jeton në një apartament të vetin. Për moshën e saj të re ka shënuar sukses në fushën e aktrimit, megjithëse sytë i ka drejtuar nga e ardhmja, ku pret më shumë prej saj

“Unë dhe Lorna ngjajmë në këtë pikë, sepse të dyja kemi jetuar kohë të këqija. Por kemi besuar dhe shpresuar se gjërat do të bëhen më mirë, ndaj dhe unë jam këtu sot”.

“Nga filmi kam mësuar shumë rreth luftës për mbijetesë. Personazhi im është një femër që me forcat e saj përpiqet për një jetë më të mirë dhe për ta arritur këtë, më shumë se gjithçka tjetër e ndihmon shpresa. Nëse ke shpresë se gjërat do të bëhen më mirë, atëherë ke për të mbijetuar”.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
MISTERIOZJA
Luleshtrydhja Forumit
Luleshtrydhja Forumit
MISTERIOZJA


Female Numri i postimeve : 4095
Age : 35
Location : secret
Humor : not bad
Registration date : 02/10/2008

Arta Dobroshi, perla shqiptare e vëllezërve francezë Empty
MesazhTitulli: Re: Arta Dobroshi, perla shqiptare e vëllezërve francezë   Arta Dobroshi, perla shqiptare e vëllezërve francezë Icon_minitime7th November 2008, 5:49 am

ME PUNE ARRIHET GJITHCKA respekt
Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
Arta Dobroshi, perla shqiptare e vëllezërve francezë
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» Kinemaja shqiptare: Çfarë zhgënjimi!
» Dy regjisorë shqiptarë, provojnë tregun e huaj të produksionit
» Videot shqiptare me te reja
» Tekste kengesh shqiptare
» Vidjoklipe popullore shqiptare

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Kasata Forum :: Art dhe kultur :: Kinematografia-
Kërce tek: