Paska dhe nga ato vajza ekrani që nuk e gdhijnë gjithë ditën në palestër e në sallone bukurie. Ja që ka edhe fatlume të tilla. Siç ka edhe fatlume që kanë për vete të gjitha metrat e mundshëm katrorë të shtëpisë, e ç’shtëpie se: një vile trekatëshe si ajo që ka Eranda dhe, përveç katit të parë ku jetojnë prindërit e saj, e gjithë hapësira tjetër që prej dhjetë vjetësh është e saja. Një shtëpi si prej kukulle, me tavan dhe mobilie të drunjta, ku mbizotërojnë ngjyrat e qeta dhe që Eranda është kujdesur vetë për ta mobiluar sipas qejfit të saj. Ato më vanitozet me siguri e kanë pyetjen në majë të gjuhës dhe janë duke imagjinuar një shtëpi të gjithën për vete, ku më kryesorja e më e veçanta nga të gjitha është ajo hapësira ku strehohen rrobat, këpucët, çantat. E kemi pyetur edhe për dhomën-gardërobë. Ndodhet ngjitur me dhomën e gjumit, nuk mungon sigurisht rafti (thesari) i këpucëve, sepse Eranda është e çmendur pas tyre (nejse, kjo s’përbën lajm).
Kujt ia beson imazhin tënd?
Firma ime e preferuar është Denny Rose. Sa herë që më duhet të jem sportive, chic, elegante, i besoj vetëm kësaj marke.
Po kur del në skenë?
Kur bëhet fjalë për skenën, përveç kësaj që thashë më sipër, i kam edhe unë ca nga ato që quhen firma të mëdha.
Për shembull?
Për shembull, kam një ndarje të veçantë te gardëroba ime ku mbaj fustanet firmato, si Cavalli, Max Mara e ndonjë tjetër. Por më shumë se sa për firma, më pëlqen të shquhem për stil të veçantë.
Të ndodh edhe ty, si shumë vajzave të tjera, që mëngjeseve të mos dish ç’të veshësh?
Po, sigurisht. Përderisa veshja për mua është shumë e rëndësishme, shpesh më zë gjumi në darkë duke menduar se ç’do vesh në mëngjes. Pastaj mëngjesi më gjen duke provuar dhjetë veshje dhe duke mos veshur asnjërën. Kur kam kohë, kuptohet.
Bën shpesh shopping?
Sa herë që më duhet të dal në skenë, sa herë që më kap dëshira për të blerë... dikur më kapte shumë shpesh, tani sikur e kam rralluar pak. Sa herë që ndërrohen stinët dhe më duhet diçka që nuk e kam. Sa herë që shoh diçka të bukur, sa herë që ndodhem jashtë Shqipërisë dhe... sa herë që jam e mërzitur.
Hë, a nuk ju thamë se edhe vajzat e njohura janë si gjithë të tjerat?! Edhe Eranda kur është e mërzitur bën pikë për pikë atë që do bënin të gjitha vajzat e botës. Mbyllet brenda në shtëpi, pi ndonjë gotë verë, rri në shtrat me orë të tëra e, pasi përpiqet mirë që të mos ua injektojë edhe shoqeve mërzitjen, më në fund nuk duron më, çohet dhe zbrazet po tek shoqet. Sepse edhe ajo sigurisht që e ka një grup shoqesh të ngushta me të cilat pi kafe, bisedon, i fton në shtëpi për ëmbëlsira apo bën shopping. E pasi kanë masakruar portofolat, ulen diku me një gotë përpara (që nuk është e thënë të jetë aperitiv me bazë “Cosmopolitan”) dhe ua nisin atyre muhabeteve të ëmbla mes mikeshave. Pastaj, pasi bëjnë ca thashetheme (ç’kuptim do kishte biseda mesh shoqesh pa bërë një çikë thashetheme), i vjen radha edhe ritit të përhershëm: “Burrat janë të gjithë njësoj”, “Si nuk më kuptoi njëherë” etj., etj., që janë argumentet më pikante e sigurisht edhe më zbavitëset për vajzat. Por në këtë pikë, të paktën me ne, Erandës nuk i pëlqen të zbrazet shumë. Nuk ka ndonjë dëshirë të madhe të rrëfehet.
Pse?
Sepse në fund të fundit jetojmë në mes të Tiranës. Sekretet është e vështirë t’i mbash. Të gjithë dinë për të gjithë. Aq më shumë kur je personazh ekrani.
Po atëherë?
Atëherë pse u dashka që unë të dal e të rrëfehem publikisht për jetën time sikur po them ndonjë hata? Nëse do kem ndonjëherë diçka të bukur për ta thënë, sigurisht që do ta them.
E megjithatë nuk është nga ato që bëjnë sikur gjithçka që kanë thënë mediat, dhe jo vetëm, kanë qenë ca thashetheme të tmerrshme. Për një vajzë 39-vjeçare, kjo do ishte e tepërt. Për tipin e shpenguar të Erandës, akoma edhe më e tepërt. Për disa nga lidhjet e saj, gazetat kanë folur gjatë. Ashtu si edhe për ndarjet.
Të ka ndodhur të të braktisin (të kuptohemi, jo në altar)?
Po, edhe ka ndodhur. Para dhjetë vjetësh i dashuri im u largua për në Amerikë për çështje pune. Aty lidhja mori fund me aq. Por më së shumti kam qenë unë ajo që kam braktisur.
Ti je posesivja apo tolerantja?
Jam pak tip i vështirë. Më pëlqen t’i bëj gjërat sipas mënyrës sime. Posesive do të thosha.
Po kur has në rezistencë?
Epo, ka plot mënyra për ta thyer një mashkull.
Do ta lije shtëpinë tënde për të jetuar nën një çati me partnerin?
Me pak vështirësi, por do ta lija, ashtu siç edhe ka ndodhur. Megjithatë, edhe pse deri vonë i kam mbushur mendjen vetes se bashkëjetesa është një zgjidhje e mirë, tani nuk mendoj më kështu.
Pse?
Sepse vërtet jeton nën një çati, por nuk ndan të njëjtat përgjegjësi, le që as që ndan përgjegjësi fare. Mjafton një sherr i vogël që ti të mbledhësh plaçkat e të ikësh. Kam arritur në përfundimin që martesa është vërtet e rëndësishme.
Do të të pëlqente të martoheshe?
Po, patjetër që do më pëlqente. Do të doja edhe unë të kisha familjen time.
E sigurisht që edhe Eranda e ka ëndërruar atë ditën e martesës, siç bëjnë në fund të fundit të gjitha vajzat pa përjashtim, herë me sy mbyllur e herë me sy hapur. “Si do t’i bëj flokët, grimin, si do jetë fustani, lulet...”.
Të ka ndodhur ndonjëherë kjo?
Po, madje kur kemi shkuar bashkë me mbesën time në një sallon nusërie për të zgjedhur fustanin e saj të martesës, ajo provonte, unë mendoja veten time.
Ia vure syrin ndonjë fustani?
Po, ishte një shumë i bukur, ngjyrë panna.
Por nëse ai do të të kërkonte që të martoheshit në një ceremoni të thjeshtë dhe ti të vishje një kostum të bardhë, duke hequr dorë nga ai fustani?
Nëse ai do preferonte kështu... në fund do bindesha.
A nuk do bindeshim në fund të gjitha?!