Kasata Forum
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.



 
ForumPortaliGalleryLatest imagesKërkoRegjistrohuidentifikimi

 

 Mbretëresha e letrave amerikane

Shko poshtë 
AutoriMesazh
UNKNOWN
H2O
H2O
UNKNOWN


Male Numri i postimeve : 750
Location : Tokesor
Registration date : 30/09/2008

Mbretëresha e letrave amerikane Empty
MesazhTitulli: Mbretëresha e letrave amerikane   Mbretëresha e letrave amerikane Icon_minitime5th October 2008, 4:21 am

Këtë vit, një nga kandidatet e forta për çmimin "Nobel" në letërsi

Joyce, më prodhimtarja dhe cilësorja e kontinentit "të ri"


Për punën e saj të jashtëzakonshme konsiderohet Mbretëreshë absolute e Republikës së Letrave dhe që prej disa vitesh, çdo fillim tetori, është një ndër emrat favoritë për çmimin "Nobel". Joyce Carol Oates është një nga shkrimtaret më prodhimtare në botë. Bibliografia e saj përmban 30 romane, disa përmbledhje me tregime, përveçse ese e kritikë letrare. Nëse do të përmblidheshin të gjitha, do të numëronim 70 vëllime, sikundër janë sot edhe 70 vitet e jetës së saj. Një prodhimtari e tillë, e shoqëruar me një popullaritet të jashtëzakonshëm (pjesa më e madhe e romaneve të saj janë bestseller), nuk mund veçse të ngjallë smirë te kolegët. "Prodhimtaria është një faktor relativ, madje do të thosha i parëndësishëm", thotë Joyce. Sipas saj, ajo çka përbën me të vërtetë vlerë janë veprat më me përmbajtje të një shkrimtari. "Por atyre që kritikojnë numrin e madh të veprave të mia që shkruaj e publikoj, për të vetmen arsye se nuk më ndjekin dot në ritmet e prodhimtarisë, u them: Nuk e keni me detyrim që të lexoni gjithë librat e mi". Biografia e shkrimtares, në të kundërt të bëmave të personazheve të saj, është shumë e thjeshtë. Ka lindur në një familje modeste, në një nga zonat më të varfra të shtetit të Nju Jorkut. Frekuentoi Universitetin e Wisconsin-it, ku ndoqi edhe një master dhe nisi të japë vetë mësim. Romanin e parë, "With Shuddering Fall", e botoi relativisht vonë, në moshën 26-vjeçare, në vitin 1964. Që nga ajo kohë, të dyja karrierat, ajo e shkrimtares dhe e akademikes, kanë ecur paralelisht. Në vitin 1963 martohet me një koleg të Universitetit të Wisconsin-it, Raymond Smith, redaktor i revistës letrare "Ontario Review", që ndërroi jetë nëntorin e kaluar. Në sajtin personal të shkrimtares në internet mund të gjesh shënime për bashkëshortin e saj të adhuruar, të nxjerra nga ditarët e shkrimtares. Që nga viti 1978, Oates drejton katedrën e shkrimit krijues në Universitetin Princeton, pranë të cilit edhe jeton. Popullariteti dhe lehtësia me të cilën Oates i ka ngjitur gjithmonë shkallët e klasifikimit në letërsi (si për sa i përket prodhimtarisë, ashtu edhe cilësisë së veprave), buron nga fakti se shkrimtarja preferon që të shndërrojë në ngjarje artistike bëmat e kronikës. Një gjë e tillë ndodhi për shembull me "The black Water", historia e romanizuar e një aksidenti automobilistik, në të cilin vdiq sekretarja e Bob Kened-it, Mary Jo Kopechne, në vitin 1969. I të njëjtës traditë është edhe romani "Myke Tyson", Blonde", historia e Marilyn Monroe dhe më i fundit, "My sister, my love", që e merr spunton nga një fakt i vërtetë: vrasja e fëmijës-gjeni, kampiones së patinazhit, Jon Benet Ramsey, e cila në roman mban emrin Bliss. Kjo ngjarje ndodhi në vitin 1996. Ajo u gjet e vdekur në shtëpi, kur sapo kishte mbushur 6 vjeçe. Fqinjët thanë se kishin dëgjuar ulërimën e fëmijës natën e 25-26 dhjetorit. Sipas autopsisë, vdekja ishte pasojë e një mbytjeje me forcë. Mbi fëmijën ishin bërë edhe abuzime seksuale. E tërë familja e Ramsey u mor në pyetje dhe u përfshi në një proces të gjatë hetimor dhe vetëm së fundmi anëtarët e saj u liruan nga të gjitha dyshimet. Megjithatë, rasti në fjalë mbeti i pazgjidhur. Ndërkohë, në rrëfimin e saj, Joyce bën me dyshim vëllain xheloz të vajzës dhe historia rrëfehet nga shoqja e ngushtë e viktimës, që është një personazh i sajuar. Shumë nga personazhet e saj janë të tillë, thjesht pjellë e fantazisë së shkrimtares, e cila i thur ngjarjet me shpejtësinë që disa gra thurin qilimat, apo trikot e leshit. Zakonisht fytyrën e imët e fsheh pas ca syzeve optike shumë të mëdha, që i ka vënë në përdorim vitet e fundit. Kur e pyet se çfarë gjëje i ka bërë më shumë përshtypje në punën e saj, thotë se ndihet e tërhequr nga pjesa e dhunshme e historisë amerikane. "Si të gjithë artistët, përmes veprës sime shpreh mendimet dhe gjykimet e mia në lidhje me ngjarje të ndryshme, të rënda e misterioze, që kanë qenë dhe janë pjesë e jetës sonë në vite. Ka nga ata që më akuzojnë se e përdor shumë dhunën në librat e mi. Këtyre akuzave u përgjigjem gjithmonë në të njëjtën mënyrë, pra që të thuash se ka shumë dhunë në librat e mi, është si të pohosh se në prozën time ka shumë realitet". Për sa i përket njërit prej librave të saj të fundit, pra atij në të cilin bëhet fjalë për historinë e vrasjes së patinatores së talentuar, Joyce thotë se bëhet fjalë për një histori shumë tërheqëse, veçse tragjike, pasi në të shfaqen disa mekanizma shumë interesantë të kronikës, të hetimit dhe të vetë shtypit. "Historia është ngjethëse, drithëruese. Një dramë e madhe që i erdhi gjithë familjes nga vrasja e vogëlushes. Gjithë familja u hetua me hollësi për vite me radhë për akuzën e vrasjes. Pas shumë kohësh akuzat u cilësuan të pabaza. Unë jam ndjerë gjithmonë pranë vëllait të viktimës, këtij djali të ndjeshëm, por të ngërthyer në një rol që nuk i përkiste dhe prej të cilit e kishte të pamundur të shmangej. Ai është viktimë e familjes së tij shumë problematike dhe e medias". Në fillimin e këtij libri, që është shitur shumë, shkruhet se "të gjitha familjet me probleme ngjajnë me njëra-tjetrën: janë familje të mbijetuarish". Leon Tolstoi shkruan në një nga librat e tij të kundërtën e kësaj: "Të gjitha familjet e lumtura ngjajnë me njëra-tjetrën". Po përse vallë kjo shkrimtare rrëfen histori familjesh të ndara e me brenga të mëdha? Sipas saj, nuk ekziston asnjë vepër letrare në të cilën nuk tregohet e rrëfehet për histori të dhimbshme, për drama, për personalitete të shqetësuara e për marrina nga më të ndryshmet. Kjo nis që me tragjeditë greke e deri te proza e Dostojevskit, Tolstoit, Tomas Mann, Kafkës, duke vazhduar me letërsinë bashkëkohore. "Në to nuk gjejmë rrëfime për jetë të lumtura e të qeta, për histori harmonish njerëzore, sepse ndoshta nuk na interesojnë shumë këto histori. Në to shohim situata dhe histori konfliktesh dhe tragjedish të mëdha. Dhe e dini përse? Sepse vetëm në situata konfliktesh dhe vështirësish shfaqet forca dhe kurajoja e individit. Vetëm në këto situata protagonisti i krijuar nga autori është interesant dhe ka gjëra për të thënë, të cilat mund të lenë gjurmë në shpirtin e lexuesit", thotë shkrimtarja. Një tjetër veçori e shkrimtares është se në një pjesë të mirë të librave të saj ajo e trajton ngjarjen nga këndvështrimi i një tregimtari, apo rrëfyesi mashkull. A mos vallë shkrimtarja e ka më të lehtë identifikimin me një burrë, pra në njëfarë mënyre mënyrën e të menduarit si një mashkull? "Detyra e shkrimtarit është që të identifikohet me personazhin që krijon dhe unë nuk bëj dallime, mashkull apo femër. Nuk besoj në një përkatësi ndaj një seksi apo një tjetri, madje as nuk mendoj që burrat dhe gratë mendojnë në mënyra të ndryshme nga njëri-tjetri. Kjo është arsyeja pse shpesh identifikimi me rrëfyesin mashkull krijon ndonjë problem". Joyce shkruan shumë edhe për dashurinë, por çfarë është dashuria për të? "Është trupi dhe fjalët". Në një ndër librat e saj të fundit, "The daughter of the foreigner", protagoniste është Rebeka, një vajzë e lindur në një periferi të Amerikës, por që e mohon prejardhjen e saj dhe ikën nga një qytet në tjetrin, në kërkim të një identiteti të ri për veten dhe të bijën. Ikja e saj ka për bazë pësimin e një akti të rëndë dhune nga ana e të atit. Sipas shkrimtares, a mundet që ushtrimi i dhunës ta shndërrojë një individ në një person që kërkon të shpikë vazhdimisht identitete për veten, për t‘i ikur të shkuarës? "Sigurisht. Një akt dhune i ushtruar ndaj një të riu e shtyn atë që të kërkojë një identitet tjetër. Në disa nga librat e mi flas për fatin e të rinjve që kanë pësuar trauma të mëdha familjare dhe pas këtyre ngjarjeve janë detyruar që të largohen nga shtëpia për t‘u shpëtuar kujtimeve dhe të synojnë të lenë gjithçka pas, përfshi emrin, mbiemrin dhe vetë identitetin. Për mua është e mrekullueshme letërsia që rrëfen udhëtime, qofshin këto të drejtpërdrejta, apo shpirtërore në kërkim të vetvetes, edhe pse shpesh bëhet për të gjetur një identitet të ri. Është në njëfarë mënyre një paralelizëm me pelegrinazhet dhe me jetët e secilit prej nesh. Ndërrimi i identitetit është shpesh një akt shumë i dhimbshëm dhe kërkon shumë forcë, por është gjëja më interesante dhe e mrekullueshme që mund të ndodhë. Pikërisht, përmes këtij procesi e kuptojmë me të vërtetë se cilët jemi. Për sa më takon, unë kufizohem te të përshkruarit e gjërave. Në fund të fundit e rëndësishme është se ku shkojmë dhe prej nga vijmë. Projektimi i të ardhmes na përcakton". Një nga mesazhet e veprës së Joyce është edhe ai që sado të mundohesh t‘i ikësh të shkuarës, nuk mund ta eliminosh atë dhe herët a vonë ajo do të rikthehet të trokasë në derë. "Po, është një paradoks, të cilin unë e shpjegoj kështu: e shkuara mund të shtypet, por kurrë nuk mund të shkatërrohet plotësisht. Do të ekzistojë përgjithmonë në kujtimet tona më të largëta e më të thella dhe në ato qeliza trunore që shpesh refuzojmë t‘i përdorim". Po a është ky një rregull që vlen vetëm për njerëzit, apo mund ta përdorim edhe për vetë shoqërinë? "Ekziston edhe një e shkuar historike që disa kultura refuzojnë ta pranojnë. Në Amerikë, për shembull, e shkuara, pra trajtimi çnjerëzor që iu bë vendasve shekuj më parë, mbetet një temë tabu". Joyce është një shkrimtare që shkruan në të gjitha gjinitë letrare: romane, tregime të shkurtra, publicistikë, ese, kritikë letrare. Po a ka preferencë? "Romani është zhanri më i vështirë, ndaj e dua më shumë, por i preferoj shumë edhe të tjerat. Përjetoj kënaqësi të veçantë kur shkruaj ese, pra kur shprehem sipas asaj çka unë mendoj". Cilët janë autorët që ajo lexon më shumë? "Tolstoin dhe Dostojevskin nuk i heq nga duart, por edhe italianët si Moravia dhe Calvino". Edhe pse 70 vjeçe, Joyce ka një barrë planesh për të ardhmen. Për vitin 2009 parashikon botimin e 2 librave: një romani të shkurtër dhe një vëllimi me tregime. Shkrimtarja, që nuk mund të rrijë pa shkruar ndonjë ditë, rrëfen se orët më të mira të krijimtarisë i ka në mëngjes herët, aty rreth orës 03:00. Më pas çlodhet duke punuar në kopsht, apo i pëlqen që të bëjë punë shtëpie, madje edhe të gatuajë, ndërkohë që, sipas saj, një shkrimtar është në punë 24 orë në ditë, pasi edhe kur nuk shkruan, vëzhgon, hulumton, krijon histori.


"Nobel"-i


Kanë mbetur vetëm pak ditë nga shpallja e "Nobel"-it për letërsinë për vitin në vijim. Këtë çmim zakonisht Akademia Suedeze e shpall mes datave 10-15 tetor e ndërkohë me afrimin e evenimentit të rëndësishëm rritet edhe "ankthi" te shkrimtarët konkurrentë. Dy vitet e fundit laureatët kanë qenë përkatësisht Orham Pamuk dhe Doris Lessing. I pari një shkrimtar në kulmin e krijimtarisë, e dyta një shkrimtare që edhe pse është në të 80-at, thotë se ka ende shumë për të shkruar dhe për të bërë. Po këtë vit, çfarë pritet të ndodhë? Emrat e kandidatëve janë me të vërtetë të mëdhenj: Joyce Carol Oates, Amos Oz, Philip Roth dhe Cormac McCarthy, Mario Vargas Lliosa, Norman Manea, Ismail Kadare. Mes poetëve spikasin Yves Bonnefoy, Charles Simic e Mark Strand. Lista e kandidatëve është e gjatë, por nëse jurisë do t‘i duhej që të zgjidhte mes kandidateve femra, ato janë tre: Alice Munro, Margaret Atwood e sigurisht Oates. Por, si çdo vit, akademia bën në fund shumë surpriza.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
Mbretëresha e letrave amerikane
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» llotaria amerikane per vitin 2010

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Kasata Forum :: Art dhe kultur :: Vip-
Kërce tek: